Rigersa Loka shpallet fituese e edicionit të 6-të të “X Factor Albania”

Pas një nate magjike dhe emocioneve të papërshkrueshme, spektakli më i ndjekur muzikor në vend, “X Factor Albania”, mbylli me sukses edicionin e tij të 6-të. Me një finale spektakolare, që mbërtheu para ekranit mijëra teleshikues, Rigersa Loka, nën mentorimin e Arilena Arës, u shpall fituese, duke rrëmbyer zemrat e publikut shqiptar.
Ajo që e bëri fitoren edhe më të veçantë, ishte fakti se të dyja – Rigersa dhe Arilena – janë nga Shkodra, duke e kthyer triumfin në një festë të dyfishtë për qytetin verior.
Finalja solli në skenë performanca të fuqishme nga tre finalistët: Leandra, Rigersa dhe Salvatore, të cilët kënduan jo vetëm solo, por edhe në duet me mentorët e tyre. Nata u shënua nga emocione të forta, momente rrëqethëse, surpriza të bukura dhe prezenca e artistëve të njohur, që e bënë finalen një festë të vërtetë muzikore.
Rigersa tashmë i bashkohet listës së talenteve që kanë lindur ne Shkodër dhe pritet të jetë një emër i rëndësishëm në skenën muzikore shqiptare.



