Saranda, një telefonuese nga Zvicra ndan në “Aldo Morning Show” në Tv Klan suksesin e saj. Ajo rrëfen se në vitin 2012 ka pësuar një aksident të rëndë automobilist prej të cilit kaloi në koma dhe u paralizua në të gjithë trupin. Rikuperimi i saj është konsideruar një mrekulli nga mjekët.

Saranda: Ajo që sot është e veçantë që ta ndaj me ju, është një sukses që mund të them një mrekulli më shumë. Në vitin 2012 unë kam pasur një aksident fatal me veturë dhe kam qëndruar një muaj në koma, kam qenë tetraplegjike, që do të thotë kam qenë e palëvizur. Mjekët në Zvicër më kanë diagnostikuar me diagnozën tetraplegjik ku palca është dëmtuar në nivelin 4 dhe asnjë shpresë nuk ka pasur që unë ta marr veten.

Aldo: Tani je më mirë besoj?

Saranda: Tani jo që jam më mirë, jam shumë, shumë më mirë dhe mjekët këtë e quajnë mrekulli të Zotit. Në një bisedë me mjekët atje, më thonë “Saranda, ne nuk kemi shpjegim në aspektin medikal ku ti ke arritur të ecësh, ta marrësh veten dhe mos të jesh tetraplegjike”. Edhe unë kam dhënë një përgjigje shumë qesharake, por të vërtetë, u kam thënë vij nga vendi i shqiponjave.