Një mësuese e shkollës 9-vjeçare në Memaliaj është dhunuar mesditën e sotme nga tezja e një nxënëse. Tezja e një vajze, nxënëse në shkollën “Nimete Progonati”, ka shkuar që të marrë mbesën në shkollë, por ka dëgjuar të qarat e saj. Nxënësja iu ankua tezes se e kishte qëlluar dhe e kishte bullizuar mësuesja gjatë orës mësimore.
Kaq është dashur, që tezja e nxënëses të shkonte tek mësuesja dhe ta qëllonte atë.
Është dashur ndërhyrja e stafit të mësuesve që ngjarja te pushonte me aq. Mesuesja me inicialet M.H, 43 vjeç ka denoncuar në polici tezen me iniciale S. K. për dhunë për shkak të detyrës.
Njoftimi i policisë:
Dhunoi fizikisht një shtetase (mësuese), procedohet penalisht 41-vjeçarja. Shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen S. K., 41 vjeçe, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.
Ditën e sotme, në ambientet e shkollës 9-vjeçare Memaliaj, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, 41-vjeçarja (familjare e një nxënëseje) ka dhunuar fizikisht një mësuese në këtë shkollë. Materialet procedurale në ngarkim të shtetases S. K. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.



