Ura mbi lumin Buna me gjatesi 300 metra që do të lidhë Shqipërinë dhe Malin e Zi do e kthejë Shkodrën në qendrën e zhvillimit rajonal. Benet Beci, ideatori dhe hartuesi i Projektit të urës mbi lumin Buna, deklaron se ky projekt do të ketë impakt në unifikimin e turizmit në zonë dhe do të ndikojë në zhvillimin dhe lidhjen më të madhe të komuniteteve mes dy vendeve.
Në një intervistë për RTSH nga Podgorica, Beci tha se ky është investimi më i madh që ndodh në Shkodër dhe se kjo marrëveshje do të riaktivizojë lidhjet e hershëm që kanë pasur dy shtetet.
“Ky projekt do të sjellë një ndryshim të “lojës” turistike në zonë. Deri tani kemi pasur një turizëm lokal dhe me hapjen e urës do kemi një ofertë turistike që është unike. Shkodrat ka pasur prej kohësh shumë më tepër pika doganore dhe shumë më tepër lidhje që kohët e fundit kanë nevojë të riaktivizohen. Sot sjellim një marrëveshje mjaft të rëndësishme për hapjen e pikës doganore që është në funksion edhe të kësaj ure. Nuk ka më ndërhyrje sporadike në Shkodër, nuk është vetëm një urë, por është një koncept tjetër, ku Shkodra do të jetë qendër e zhvillimit rajonal”, tha Beci.
Hartuar disa vite më parë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Benet Beci sqaroi për RTSH se investime të tilla madhore për Shkodrën kërkonin edhe bashkëpunimin me qeverinë e Malit të Zi, që sot është bërë realitet.
“Në të gjitha ndërhyrjet që kemi bërë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Shkodra ka qenë projekti i munguar, ku ka pasur projekte të veçanta por jo si një të tërë. Kjo për shkak të marrëdhënieve mes qeverive të dy vendeve. Në rregullimin e lumit Buna duhet të bëhej së bashku me Malin e Zi. Projekte të tilla duhet të bashkërendohet edhe me pjesën e Malit të Zi. Jemi në një moment të duhur për të bërë një ndryshim thelbësor. Shkodrën e pret një impakt i madh I këtyre investimeve”, tha Beci për RTSH.
Qeveria e Shqipërisë dhe Malit të Zi arritën sot marrëveshjen për ndërtimin e urës mbi lumin Buna, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive. Ura do të kushtojë 20 mln euro dhe pagesa do të jetë 50 me 50 mes qeverive të dy vendeve.
Ura e gjatë 310 metra do të shkurtojë rrugën nga Plazhi i Madh i Ulqinit deri në Velipojë, nga 70 kilometra sa janë tani.
Për zbatimin e projektit do të ngrihet një komision i përbashkët mes dy shteteve për të hapur garën ndërkombëtare që do të investojë dhe ndërtojë urën. Projekti do të vijojë dhe me një konkurs tjetër ndërkombëtar për të vizionuar të gjithë zonën në aspektin e turizmit.
/rtsh.al/



