Një ngjarje tejet e trishtë ka ndodhur së fundmi në Itali. Një 25-vjeçar shqiptar ka humbur jetën ndërsa ka qenë duke shërbyer në një lokal në Verona.

Sipas mediave italiane 25-vjeçari Egzon Mile, ka rënë papritur në tokë ndërsa po u shërbente disa klientëve që kishin ardhur në restorant.I riu kishte pak kohë që kishte filluar punë në restorant, i cili drejtohej prej vitesh nga të afërmit e tij.

Shkak për ngjarjen e hidhur duket se ka qenë ataku kardiak.Në momentin e ngjarjes, ai ishte në krye të detyrës. Të gjithë të pranishmit në restorant u munduan t’i jepnin ndihmën e parë, por ishte e kot.

Edhe pse në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë dy ambulanca dhe helikopteri, nuk kanë mundur ta shpëtojnë 25-vjeçarin shqiptar pavarësisht ndihmës së dhënë.Kjo ngjarje ka pikëlluar familjarët e tij dhe këdo tjetër që e njihte. Shumë miq të tij, të afërm, kanë shprehur ngushëllimet në rrjetet sociale.