Vetëm për vitin 2022, raportohet se 164 punonjës policie janë kundërshtuar nga qytetarët.

Nisur edhe nga ngjarjet e fundit të ndodhura në vend, incidentet me efektivët e Policisë së Shtetit që degjenrojnë në dhunë fizike kundrejt këtyre të fundit nisen nga disa faktorë.

Përfaqësues të Sindikatës së Policisë kanë pranuar se efektivët nuk respektojnë një kod etik sjelljeje me qytetarët nisur nga komunikimi verbal. Kërkohet një reflektim i tyre, për të mos i kthyer komunikimet me qytetarët në personale në mënyrë që të shmangen episodet e dhunës.

“I bëjmë thirrje punonjësve të Policisë të përmirësojnë gjuhën e komunikimit me qytetarët duke respektuar gjuhën e ligjit. Në momentin që ne dalim jashtë kësaj gjuhe, e personalizojmë problemin”-shprehet kryetari i Sindikatës së Policëve.

Nëse ngjarjet degjenerojnë deri në një pikë të tillë, efektivët gjithsesi duhet të kalojnë filtrin e Drejtorisë së Standardeve në Policinë e Shtetit dhe Agjencisë së Mbrojtjes Policore për të shqyrtuar nëse veprimet e tyre kundrejt qytetarëve kanë qenë në përputhje me ligjin.