Skandal me pronat publike në bregdetin e Sarandës. Sipërfaqe toke në pronësi të bashkisë po grabiten me anë të dokumenteve të falsifikuara nga privati.
Persona të ndryshëm kanë paraqitur pranë organeve vendore të shtetit, dokumente, të cilat nuk ekzistojnë në bashki apo në ndonjë institucion tjetër. I gjithë qëllimi është përvetësimi i kësaj lulishteje prej 1200 metrash katrorë, e cila ndodhet në bregun e detit.
Tre qytetarë të Sarandës kanë bërë një denoncim në ABC ku faktojnë atë çfarë po ndodh me pronën e bashkisë e cila sipas planit urbanistik, është lulishte dhe do t’u shërbeje qytetarëve dhe turistëve.
Ata thonë se dy persona e kanë përvetësuar me anë të dokumenteve të falsifikuara duke përdorur vendimin e këshillit të ministrave të 22 majit 2019.
Kjo VKM nga ana e kryetarit të bashkisë së qytetit Adrian Gurma u paraqit si sukses dhe do t’i jepej zgjidhje problemit të regjistrimit të pronave të përfituara nga qytetarët me ndarjen që kishin bërë këshilli bashkiak.



