Gazetari i njohur Mentor Kikia i ka bërë një pyetje publike Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, duke paralelizuar dy ngjarje të ndodhura në vend, në një hark kohor prej 12 orësh.

Dje në Tiranë policia i ndoqi protestuesit nëpër bulevard e deri në pallate, ndërsa në Shkodër u lanë të shkatërronin e pastaj reaguan.

Sipas Kikisë, kjo është në mospërputhje dhe i kërkon Veliut të tregojë se në cilin rast policia ka shkelur ligjin.

Shënimi i plotë i Kikisë

Një pyetje publike për Ardi Veliun!

Shikoji pak këto dy foto, zoti Drejtor i Përgjithshëm i Policisë.

E para, mbrëmë në Tiranë: Policia, me makinat ujëhedhëse, me skafandra, mburoja, shkopinj gome, tymuese e gaz lotsjellës, edhe pasi i kanë larguar protestuesit nga institucionet, i ndjekin edhe nëpër bulevard.

E dyta, sot në Shkodër: Një grup minorenësh, edhe fëmijë madje kishte, tërësisht të pashqetësuar, të lirë në vullnetin e tyre shkatërrues, u argëtuan duke thyer, shkatërruar e më pas duke i vënë zjarrin mobiljeve dhe sendeve të tjera që ishin brenda në selinë e PS-së. Plot një orë zgjati shkatërrimi. Asnjë polic nuk u pa. Erdhën vonë, kur ishte bërë prushi për të pjekur misra.

Në shpjego pak publikisht: Në cilin rast policia ka shkelur ligjin. Nuk mund të jenë të dyja në rregull apo jo?