Një pushues nga Kosova humbi jetën pasditën e djeshme në plazhin e Velipojës, ngjarje e cila ka revoltuar qytetarët e tjerë të pranishëm. Ata kanë shpërthyer në thirrje për shkak se sipas tyre ambulanca ka vonuar më shumë se një orë nga momenti kur u kërkua ndihmë.
Klan Kosova ka publikuar një video kur autoambulanca mori trupin e tij teksa pushues të shumtë u shprehën të revoltuar, duke e quajtur të turpshme vonesën e autoambulancës, e thërrisnin “marre, marre”, “o të q… zoti fare”.
Viktima thuhet se është nga qyteti i Ferizajt dhe ishte nxjerrë i gjallë nga uji. Një tjetër pushues me profesion infermier kishte tentuar që të ndihmojë atë pas nxjerrjes nga uji, pasi ambulanca raportohet të jetë vonuar për një orë.
Sipas dëshmitarëve, i moshuari sapo ka hyrë në ujë për t’u larë, ka pësuar infarkt.
Trupi i të ndjerit është dërguar në morgun e spitalit të Shkodrës, me ambulancën e këtij qyteti, pasi në Velipojë shërbimi i ambulancës është mbyllur në datën 31 gusht.



