Flora Xhemani Baba
Sa herë që shoh Nerminin në foto, teksa punon mbi “muralen” e radhës, s`di pse më vjen në mendje një episodth i filmit “Nusja dhe shtetrrethimi” , ku dy plaka bisedojnë pas një atentati: “Thonë se ia nëmëroi mu në ballë ajo vajza që qëndis muret”,
duke patur parasysh Shpresën (Raimonda Bulkun), ilegalen që shkruante parrulla kundër fashizmit dhe vizatonte yje nëpër mure.

Krahasimi është krejt i zbehtë në fakt por nëse flasim për një vajzë që qëndis muret, ai qëndron.

Ah, nuk jua thashë kush është Nermini?
Është një vajzë simpatike në gjitha kuptimet, me një humor të hollë, tipik shkodran, që ndihet edhe përmes koracës së ftohtë të Fejsbukut, të cilin ajo e përdor me shumë elegancë e batuta të kripura. Me siguri miqtë e saj të afërt e çmojnë shumë për këtë dhunti por ne nuk do të donim të ndaleshim këtu. Sepse duam t`ju tregojmë një tjetër dhunti të saj: pikturën.

Do thoni ju, vajza piktore ka plot, ku qëndron e veçanta? Ashtu është vajza piktore ka plot dhe të talentuara por rrallë ose aspak ka vajza që pikturojnë murale. Ajo mund të jetë ndoshta e vetmja vajzë që merret me këtë lloj arti, që duhet thënë se po bëhet shumë “trend” kohët e fundit.

Të gjithë shohim se si po mbushet Tirana me piktura të mëdha nëpër faqe pallatesh të vjetra e të reja, që mëtojnë të mbulojnë disi zymtësinë e betonit me ngjyra dhe gëzim. Madje qytete të vogla si Patosi, Ballshi ose Kuçova po përpiqen të identifikohen përmes këtyre pikturave moderne.

E pra, këtë mision për qytetin e Shkodrës, e ka “marrë përsipër” Nermini, prej shtatë vjetësh tashmë. Dhe po të shkoni në Shkodër, tani nuk duhet të vizitoni vetëm rrugët kryesore e “pedonalet” por edhe rrugicat e disa lagjeve, fasadat e disa shkollave, madje edhe në zona të ndryshme rurale, do të shihni t`ju buzëqeshin plot dritë e ngjyra motive floreale, zogj shumëngjyrësh, “biblioteka” plot me librat e fëmijërisë e jo vetëm, flutura gjigande që as Tropiku nuk i ka e plot kompozime të tjera, që kanë lënë tej zymtësinë e ftohtë të betonit dhe kanë mbushur me jetë muret e Shkodrës.
Po pse ky pasion? Asgjë sekrete dhe e jashtëzakonshme. Ajo ka filluar të vizatojë qysh në moshën dyvjeçare, ashtu siç kanë bërë para saj i ati, hallat, si talente të lindur në pikturë por edhe si profesionistë, pasi babai ishte mësues vizatimi. Pra, dardha nën dardhë. Edhe pse shkollën e lartë e ka kryer për ekonomi, duke mos dashur të jetë e varur prej artit, shpirtërisht ajo është varur prej tij.
Travel-Al.Com



