Nga Liridon Mulaj

Emnin ma thonë Ditmir!
Kam lind fiks në orën dymbëdhjetë të mesnatës, ndaj nuk kam datëlindje.
I mbështjellun në fanellata që kuderbojnë era shurrë,

vështroj tullumbacet e argjendta në krevatin ngjitur
Nji emën tjetër formojnë, e tjetër shpresë ngjizin për dikë tjetër.

Jam me ngjyrë të lëkurës nanës, apo dhe babës
paçka se këtë të fundit nuk e njoh,
edhe pse unë mbaj aromë braktisjeje
zhytun në fanellata të ndotuna,
kapun prej duarsh të forta të mamive
që më prekin si dinamit, gati me shpërthy

Emni jem asht Ditmir!

I lindun në ditë keqe, me diell e re
pa dëshirë e dashni, mbushun udhët me braktisje

Kam tokën për shollë, qiellin për tavan
e rrugën trajektore përshkuese
si kurba e burrnimit në tabelën e vuajtjes
ku indeksi i mirëqënies matet me monedhat e faluna
e duart e zgjatuna.

Jam biri i tokës dhe i diellit
i hanës dhe i reve.
Jam pesha e dheut e barrë e
e kalimtarëve qi ndrrojnë rrugë përballë meje.
Jam sperma e prishun e nji të papërgjeshmi, jam përtese apo ndoshta dashnia e nji gruaje pjellore jashtë parashikimit.
Jam i bardhë, i zi , ndoshta dhe pa ngjyrë, por s’jam si ju.
Jam zgjatim në këtë jetë, asnjeherë i pritun
gjithmonë i pavënd.

Emni jem asht Ditmir,
emnit tem, s’ja njoh kuptimin…